eso1317sq — Foto për publikim

Një flluskë jeshile

VLT-ja e ESO-s fotografon një mjegullnajë planetare

10 Prill 2013

Kjo pamje e re dhe intriguese nga Teleskopi Shumë i Madh i ESO-s tregon një mjegullnajë planetare jeshile ndriçuese, e cila quhet IC 1295. Kjo mjegullnajë rrethon një yll të zbehtë që po shuhet rreth 3300 vjet-dritë larg nesh në konstelacionin Scutum (Mburoja). Kjo është fotografia më e qartë e këtij objekti e marrë ndonjëherë.

Yjet me përmasat e Diellit tonë e përfundojnë jetën e tyre si yje xhuxhë të vegjël dhe të errët. Por gjatë këtij transformimi atmosfera e tyre hidhet në hapsirë, dhe pas disa dhjetra mijëra viteve ato rrethohen nga re ndriçuese me ngjyra gazi të jonizuar që njihen me emrin mjegullnaja planetare.

Kjo pamje e re nga VLT tregon mjegullnajën planetare IC 1295, e cila ndodhet në konstelacionin e mburojës (Scutum). Ajo ka një strukturë të pazakontë të rrethuar nga shumë shtresa që e bëjnë atë të ngjashme me membranat e qelizave të mikroorganizmave të para me mikroskop.

Këto flluska përbëhen nga gazi, i cili ka qenë pjesë e atmosferës së yllit. Ky gaz është larguar nga ylli për shkak të reaksioneve të paqëndrushme të fuzionit në qendrën e yllit të cilat çlironin herë pas here sasi të mëdha energjie, ngashëm me shkulmet termobërthamore. Gazi rreth yllit të vjetër ndriçon për shkak të rrezatimit ultravjollcë. Elemente të ndryshme kimike ndriçojnë në ngjyra të ndryshme dhe pamja si një fantazëm me ngjyrë jeshile që spikat tek IC 1295 vjen nga oksigjeni i jonizuar.

Në qendrën e imazhit, ju mund të shihni bërthamën e yllit, mbeturinat pas djegjes, si një njollë bojqielli në qendër të mjegullnajës. Ylli qëndror do të bëhet një xhuxh shumë i errët dhe do të ftohet ngadalë për shumë miliard vjet.

Yjet me masë nga 1 – 8 herë masën e Diellit tonë, pasi hyjnë në fazën e fundit të jetës së tyre do të formojnë një mjegullnajë planetare. Dielli jonë ka një moshë 4.6 miliard vjeçare dhe do të jetojë dhe për 4 miliard vjet të tjerë.

Pavarësisht emrit, “mjegullnajë planetare”, mjegullnaja që formojnë yjet, në momentet e fundit të ekzistencës së tyre, nuk ka të bëjë fare me planetët. Ky term është përdorur gjatë disa zbulimeve të hershme për shkak të ngjashmërisë vizive të këtyre objekteve me planetët e jashtëm të sistemit diellor si Urani apo Neptuni kur shiheshin me teleskopët e asaj kohe. Fakti që ky term ka mbetur deri më sot tregon që ka qenë shumë tërheqës [1]. Nga vëzhgimet e para spektroskopike në shekullin e nëntëmbëdhjetë u vërtetua që këto objekte ishin prej gazi ndriçues.

Kjo pamje u fotografua nga Teleskopi Shumë i Madh i ESO-s, i cili ndodhet në Cerro Paranal në Shkretëtirën e Atacama-s në Kili, duke përdorur aparaturën FORS (spektrografin me reduktim të largësisë fokale). Ekspozimet e marra me tre filtra të ndryshëm njëri me ngjyrë blu, tjetri me ngjyrë jeshile dhe i treti i kuq, u kombinuan për të formuar këtë foto.

Shënime

[1] Edhe me vëzhgimet e hershme si ato të William Herschel, i cili zbuloi shumë mjegullnaja planetare duke spekulluar mbi origjinën dhe përbërjen e tyre, dihej që ato nuk ishin planetë që rrotulloheshin rreth Diellit meqë ato nuk lëviznin nëpër qiell.

Më shumë informacion

ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare mbi astronominë më e rëndësishmja në Evropë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që funksionojnë në tokë. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. ESO gjithashtu luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më uniket në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar eskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri europian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society
Tirana, Albania
Cel: +355 672506587
E-mail: buneci@hotmail.com

Richard Hook
ESO, La Silla, Paranal, E-ELT & Survey Telescopes Press Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1317.
Bookmark and Share

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1317sq
Emri:IC 1295
Tipi:• Milky Way : Nebula : Type : Planetary
Facility:Very Large Telescope

Fotografitë

ESO's VLT images the planetary nebula IC 1295
ESO's VLT images the planetary nebula IC 1295
vetëm në Anglisht
The planetary nebula IC 1295 in the constellation of Scutum (The Shield)
The planetary nebula IC 1295 in the constellation of Scutum (The Shield)
vetëm në Anglisht

Videot

Zooming in on the planetary nebula IC 1295
Zooming in on the planetary nebula IC 1295
vetëm në Anglisht

Shih dhe