eso1320sq — Foto për publikim

Një zonë me formimin të çrregullt yjesh

02 Maj 2013

Teleskopi Danez 1.54 metra i lokalizuar në Observatorin La Silla të ESO-s në Kili ka marrë këtë fotografi mbresëlënëse të NGC 6559, një objekt që na shfaq kaosin që sundon kur yjet janë duke u formuar brenda reve ndëryjore.

NGC 6559 është një re gazesh dhe pluhuri që ndodhet në një distancë rreth 5000 vite drite larg nesh, në konstelacionin e Shigjetarit (The Archer). Zona që ndriçon është një objekt relativisht i vogël, me përmasa vetëm pak vite-dritë, në krahasim me më shumë se 100 vite-dritë që shtrihet fqinji i tij Mjegullnaja Lagoon (Messier 8, eso0936). Megjithëse kjo e fundit është vëzhguar shumë më tepër në krahasim me shoqëruesin e saj jo shumë të dukshëm, NGC 6559 ka një rol kryesor në këtë fotografi.

Gazi në retë e NGC 6559, shumica hidrogjen, është lënda e parë për formimin e yjeve. Kur një zonë brenda mjegullnajës mbledh mjaftueshëm lëndë, ajo fillon të ngjeshet për shkak të gravitetit të saj. Dëndësia e qendrën e resë rritet dhe nxehet, deri në momentin kur fillon fuzioni termobërthamor që quhet dhe momenti kur lind ylli. Gjatë këtij fuzioni atomet e hidrogjenit bashkohen duke formuar atomet e heliumit, dhe duke çliruar energji e cila e bën yllin të ndriçojë.

Këto yje të nxehtë e të ndritshëm të lindur brenda resë i japin energji hidrogjenit që ndodhet rreth tyre  [1]. Gazi e lëshon përsëri këtë energji, duke prodhuar këtë re të kuqe që shihet pranë qendrës së fotografisë. Objekti njihet me emrin mjegullnajë rrezatimi.

Por NGC 6559 nuk përbëhet vetëm nga gazi i hidrogjenit. Ajo gjithashtu përmban dhe grimca të ngurta pluhuri, të përbëra nga elemente më të rënda, siç janë karboni, hekuri dhe silici. Pjesa me ngjyrë blu pranë mjegullnajës rrezatuese përthyen dritën e yjeve të sapo formuara – drita reflektohet në shumë drejtime të ndryshme – nga grimcat mikroskopike që ndodhen në mjegullnajë. Ky tip objekti që njihet nga astronomët si mjegullnajë rrezatimi zakonisht na paraqitet me ngjyrë blu për shkak se pasqyrimi është më efikas në këto gjatësi të shkurtra të dritës.

Në zonat ku kjo re është shumë e dendur, pluhuri mbulon plotësisht dritën pas tij, siç është në rastet e njollave të errëta në foto dhe shiritave me forma të shtrembëruara poshtë në të majtë dhe në të djathtë të fotografisë. Për të parë prapa këtyre zonave me dëndësi të lartë, astronomët duhet të përdorin gjatësi vale më të gjata të cilat nuk përthithen nga këto mjegullnaja.

Rruga e Qumështit mbush sfondin e kësaj fotoje me shumë yje të vjetër me ngjyrë të verdhë. Disa prej tyre duken të zbehtë dhe më të skuqur për shkak të pluhurit të resë NGC 6559.

Kjo fotografi tërheqëse që tregon vendin ku formohen yjet u bë nga ‘Danish Faint Object Spectrograph and Camera’ (DFOSC) të montuar në Teleskopin Danez 1.54-metra  në La Silla në Kili. Ky teleskop kombëtar është përdorur në La Silla që nga viti 1979 dhe kohët e findit është rinovuar duke u kthyer në një teleskop modern që mund të kontrollohet në distancë.

Shënime

[1] Këto yje të rinj zakonisht janë të tipit spektral O dhe B, me temperatura ndërmjet 10 000 dhe 60 000 K, të cilat rrezatojnë sasi të mëdha energjie ultraviolet duke jonizuar atomet e hidrogjenit.

Më shumë informacion

ESO (European Southern Observatory) është organizata ndërqeveritare mbi astronominë më e rëndësishmja në Evropë, dhe më produktivja në botë në lidhje me teleskopët që funksionojnë në tokë. Ajo mbështetet nga 15 shtete: Austria, Belgjika, Brazili, Republika Çeke, Danimarka, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Hollanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Anglia. ESO është e angazhuar në një program ambicioz fokusuar në projektimin, ndërtimin dhe operimin e pajisjeve të fuqishme vëzhguese (në sipërfaqen e tokës), të cilat i mundësojnë astronomëve zbulime të rëndësishme shkencore. ESO gjithashtu luan një rol primar në promovimin dhe organizimin e bashkëpunimeve në kërkimet astronomike. ESO zotëron tre zona vëzhgimi në Kili, nga më uniket në botë: La Silla, Paranal, dhe Chajnantor. Në Paranal, ESO drejton Teleskopin Shumë të Madh VLT (Very Large Telescope), observatorin astronomik më të avancuar në botë që vëzhgon qiellin në dritën e dukshme, si dhe dy teleskopë kërkimorë. VISTA punon në infra të kuqe dhe është teleskopi më i madh kërkimor në botë. VLT është teleskopi kërkimor më i madh i projektuar eskluzivisht për kërkime në qiell në dritën e dukshme. ESO është partneri europian i teleskopit revolucionar astronomik ALMA, projekti astronomik më i madh në histori. Aktualisht ESO po planifikon një teleskop me pasqyrë 39 metra në diametër që do të shikojë qiellin në spektrin e dritës së dukshme dhe asaj afër infra të kuqes, E-ELT, i cili do të bëhet “syri më i madh në botë drejt qiellit”.

Lidhje

Kontakte

Erald Buneci
Astronomy Society
Tirana, Albania
Cel: +355 672506587
E-mail: buneci@hotmail.com

Richard Hook
ESO Public Information Officer
Garching bei München, Germany
Tel: +49 89 3200 6655
Cel: +49 151 1537 3591
E-mail: rhook@eso.org

Ky është një përkthim i publikimit për shtyp të ESO-s eso1320.

Rreth Publikimit

Nr. i Publikimit:eso1320sq
Emri:NGC 6559
Tipi:• Milky Way : Nebula : Type : Star Formation
Facility:Danish 1.54-metre telescope

Fotografitë

Zona yll formuese NGC 6559
Zona yll formuese NGC 6559
NGC 6559, zona ku formohen yje në konstelacionin e Shigjetarit
NGC 6559, zona ku formohen yje në konstelacionin e Shigjetarit

Videot

Duke zmadhuar zonën ku po formohen yje NGC 6559
Duke zmadhuar zonën ku po formohen yje NGC 6559
Duke lëvizur nëpër zonën yll-formuese NGC 6559
Duke lëvizur nëpër zonën yll-formuese NGC 6559

Shih dhe